Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Ministrinë e Arsimit ku ka folur lidhur me protestat e dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.
“Jemi këtu në këtë institucion që është bërë objekt i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e rrugës së Durrësit. Është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye, për të kamufluar ç’ka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste.
Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin dhe për të justifikuar këtë valë dhune që s’ka të bëjë as me nxënësit e as me studentët. Brenda atij grupi ka edhe studentë që janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që u përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë asnjëherë studentët që ushtrojnë të drejtën e protestës.
Këtu flasim për ushtrimin e dhunës. Kam marrë këtë gurin në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të Policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”, tha mes të tjerash Rama.
