...
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur akuza ndaj SPAK mbi faktin se pse në Kuvend nuk ka mbërritur ende një kërkesë e re nga prokurorët për heqjen e imunitetit të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i PD-së thotë se tashmë mbi Ballukun rëndojnë edhe tri akuza të reja që ai i cilëson si ndër më të rëndat për një zyrtar të lartë, konkretisht korrupsioni pasiv, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë.
Ai ndalet edhe te provat e reja nga SPAK, që lidhen me dy vila të fshehura të Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet, dhe ngre pikëpyetje mbi qëndrimin e SPAK duke kërkuar të dijë përse nuk është ndërmarrë një veprim i ri lidhur me masën e sigurimit ndaj Ballukut.
Reagimi i Bardhit:
Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.
Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.
Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.
Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?
Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?