...
Sasia prej 41 kilogramë e 350 gramë kokainë e ardhur nga Brazili është sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Anchor 3”, duke goditur tentativën e tretë brenda vetëm një muaji për futjen e lëndëve narkotike me vlerë tregu prej rreth 2 milionë eurosh në territorin shqiptar.
Ngarkesa e drogës ishte fshehur në një kontejner që sipas dokumentacionit zyrtar transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe trupat doganore, në kapakët e jashtëm të kontejnerit u zbuluan 37 paketime me lëndë narkotike të llojit kokainë.
Njoftimi zyrtar:
Port, Durrës/ Goditet një rast i trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë.
Brenda një muaji goditen 3 raste të tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.