... Nami.al

U sulmua nga protestuesit, deputetja socialiste: As armikun më të keq s’do doja ta shihja në atë pozitë, Qeveria ta lexojë si duhet protestën

Deputetja socialiste dhe pedagogia Iris Luarasi, është shprehur së fundi se qeveria do të duhet ta “lexojë” protestën e cila është  duke u zhvilluar prej më shumë se 3 muajsh në Tiranë. Më tej ajo ka folur edhe për “Praninë Besnike” për të cilën tha se është hapi i parë i cili tregon afrimin e PS dhe qeverisë gjithmonë e më shumë me qytetarët.

“Unë jam nga të paktat deputete të PS që kam thënë që Qeveria duhet ta lexojë protestën, duhet ta përdorë si pasqyrën ku ajo shikohet për të parë problemet e saj. Kam qenë aq e artikuluar në këtë pjesë, edhe realisht këtë gjë unë e besoj dhe tani ne e shohim edhe të formësuar.

Dhe gjithë baza e pranisë besnike që tani po ndodh dhe që po i çon deputetët pranë njerëzve, patjetër që mendoj që është hapi i parë që e tregon këtë”, tha Luarasi në Report TV.

Më tej ajo ka folur edhe për situatën e cila i ndodhi ditën e martë me protestuesit, të cilët “i zunë pritë” brenda një qendre tregëtare, duke u shprehur se nga deputetët e opozitës kishte marrë vetëm një mesazh për ngjarjen, por kishte shumë të tilla nga njerëzit, e jo vetëm nga ata me të cilët kanë të njëjtat bindje politke.

“Unë atë them, që e kuptoj edhe zemërimin e njerëzve. Ka gabime në qeverisje, unë nuk them se s’ka dhe nëse do të numëroj unë disa prej tyre. Për hir të së vërtetës unë kam marrë vetëm një mesazh nga një kolege e opozitës, por kam marrë mesazhe pa fund nga njerëz që nuk ndajnë të njëjtat bindje me mua dhe që debatojmë ashpër kur vjen puna për politikën. Mbi të gjitha ne jemi njerëz. Mbizotëron njerëzillëku. Unë as armikun tim më të keq nuk do doja ta shihja në atë pozitë që isha unë atë ditë”, u shpreh ajo.