... Nami.al

Bilanci i Rrugores/ 13 467 gjoba dhe 32 të arrestuar në Tiranë brenda një jave, dy tentuan të korruptonin policët

32 persona janë arrestuar dhe 13 467 gjoba janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë javës që lamë pas. Dy prej të arrestuarve, pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, tentuan të korruptonin efektivët e policisë.

Nga kontrollet, 4 998 gjoba janë vendosur për shkelje në sigurinë rrugore, ndërsa 7 868 për parkime të gabuara dhe shkelje të tjera që pengojnë qarkullimin dhe krijojnë trafik.

Policia ka gjobitur gjithashtu 1 093 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës, 418 drejtues dhe pasagjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 309 drejtues për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

83 gjoba janë vendosur për automjete që shkaktonin zhurma për shkak të modifikimeve të paligjshme, ndërsa 19 drejtues janë ndëshkuar pasi u kapën nën efektin e alkoolit.

Gjatë kontrolleve janë bllokuar edhe 75 automjete për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.

Policia Rrugore bën apel që drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos përdorin alkool kur drejtojnë automjetin dhe të mos lëvizin pa leje drejtimi.

Gjobat e vendosura nga Policia Rrugore e Tiranës
-4,998 masa për shkelje në sigurinë rrugore;
-7,868 masa për shkelje të rregullave të ndalimit, pushimit dhe qëndrimit, shkelje që pengojnë qarkullimin dhe krijojnë kaos në trafik;
-1,093 masa për drejtuesit e motomjeteve që nuk kanë respektuar përdorimin e kaskës mbrojtëse;
-83 masa për automjetet që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme;
-418 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-309 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
-19 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
Totali: 13 467 gjoba