...
Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet shqetësuese. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, prej të cilave 11 janë ende aktive, ndërsa 5 ndodhen nën mbikëqyrje dhe 16 janë shuar.
Vatrat më problematike janë aktualisht në Malin e Dajtit, Bardhaj të Shkodrës dhe në zonën e Fierit, ku strukturat e emergjencave vijojnë operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në përballimin e situatës janë angazhuar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë gjithashtu 475 efektivë të Forcave të Armatosura, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.
Në Malin e Dajtit, përveç strukturave bashkiake, janë angazhuar 77 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës, operacioni po zhvillohet me 5 automjete zjarrfikëse, shërbimin pyjor dhe strukturat e emergjencave civile. Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion një automjet zjarrfikës dhe një helikopter, ndërsa sot në terren janë shtuar edhe 33 efektivë dhe një ambulancë.
Situata vijon të jetë problematike edhe në Fier, ku janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë dhe 90 forca të tjera. Nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 90 ushtarakë, një helikopter dhe një avion Air Tractor, ndërsa sot operacionit i janë shtuar edhe 33 efektivë.
Ndërkohë, zjarri në Himarë është shuar pas një mobilizimi të gjerë të strukturave vendore, policisë, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura. Në operacion u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 punonjës të Policisë dhe 180 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.