...
Situata e zjarreve paraqitet e vështirë në disa zona të vendit, me flakët që kanë rrezikuar banesat dhe kanë përfshirë sipërfaqe me pyje e shkurre.
Në fshatin Lundre të Ulzës, zjarri është afruar pranë banesave, duke krijuar një situatë kritike për banorët. Ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë dhe thatësirës, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ajri me helikopter për të mbrojtur banesat.
Një tjetër vatër është aktivizuar në fshatin Greps, pranë Mukjes, në Njësinë Administrative Nikël. Forcat zjarrfikëse nga Kruja dhe Tirana po punojnë për lokalizimin e flakëve, të cilat po përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era. Zjarri ka përfshirë hektarë me bimësi, ndërsa deri tani nuk raportohen persona të lënduar.
Ndërkohë, një vatër zjarri është raportuar edhe në Zall-Herr, ku pas shqetësimit të banorëve, Bashkia e Tiranës ka dërguar mjetet zjarrfikëse në terren. Një ekskavator ka hapur rrugën për të mundësuar ndërhyrjen e mjeteve. Ende nuk dihet sipërfaqja e përfshirë nga flakët dhe nëse banesat përreth janë në rrezik.