...
Një 45-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se mashtronte familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, duke u premtuar dëmshpërblime dhe banesa të reja në këmbim të shumave të konsiderueshme parash.
Sipas autoriteteve, Ina Cakaj dyshohet se prezantohej si punonjëse e administratës dhe pretendonte se kishte mundësi të ndikonte në procedurat për përfitimin e banesave ose dëmshpërblimeve për familjet e dëmtuara.
Shumat që ajo dyshohet se u kërkonte qytetarëve varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro. Deri në këtë fazë të hetimit, rreth 30 persona dyshohet se janë mashtruar në zonën e Fushë-Krujës.
Sipas të dhënave të hetimit, dëmi financiar i shkaktuar llogaritet në rreth 60 milionë lekë të vjetra.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar si prova materiale dokumente dhe certifikata familjare që u përkasin personave të përfshirë në skemën e dyshuar të mashtrimit.
45-vjeçarja po hetohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar raste të tjera të mundshme dhe për të dokumentuar plotësisht mënyrën e funksionimit të skemës.