... Nami.al

Dëshmia e mikut të turistit portugez ndryshon skenarin e vrasjes në Ksamil: Një shqiptar na shau nga nëna, Sokrat Vata erdhi me thikë në shezlong

Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Ksamil dhe për të cilën u arrestuan 11 persona. 

Në dosjen hetimore, përfshihet edhe dëshmia e Adib Ghanmi, një francez që ndodhej së bashku me 20-vjeçarin dhe të tjerët kur ndodhi ngjarja.

I riu ka treguar se po festonin në klubin “Principote” dhe më pas kishte vijuar qëndrimin në plazh. Aty, sipas Ghanmi, iu është afruar një i ri shqiptar, rreth 25-30 vjeç, duke sharë nga nëna njërin prej tyre dhe goditur me kokë.

Ai ka thënë se situata agravoi në përleshje dhe se në vendngjarje kishte shkuar edhe një person tjetër, që nga përshkrimi bëhet fjalë për Sokrat Vatën, i cili sipas tij mbante një thikë në dorë.

Francezi ka deklaruar se fillimisht Vata ka goditur një mikun e tyre në këmbë, ndërsa më pas ka goditur me thikë në zemër Luis Miguel Varela Mendez.

“Kam qenë me shokët e mi, shtatë persona dhe po festonim në klub “Principote” dhe pasi mbaroi festa ne po rrinin në plazh.

Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frengjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: pse më shan, se nëna është e shenjtë. Më pas ky person e goditi me kokë, ne u futem të gjithë në konflikt..

Më pas ka ardhur një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tim, i cili u vra me thikë ne zemër.

Në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security, të cilët nuk jam i sigurt nëse u futën në konflikt pasi personin që qëlloi me kokën, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë”, thuhet në dëshmi.

Gjatë marrjes në pyetje, prokuroria e pyeti Ghanmi nëse do të mund ta identifikonte autorin e dyshuar. Ai deklaroi se do ta njihte nëse do ta shihte.

Më pas, hetuesit i paraqitën një fotografi të Sokrat Vatës, të cilin shtetasi francez e identifikoi si personin që goditi me thikë turistin portugez.