...
Florjan Vuka alias Vathaj, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Vuka dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepa, i cili besohet se ka vepruar në disa shtete dhe ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.
Hetimet e SPAK kanë evidentuar të paktën tetë episode trafiku gjatë viteve 2019-2021, ndërsa në total grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë.
Pas ekstradimit dhe mbërritjes në Shqipëri, Vuka pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme, e cila do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj tij.
Çështja i është caktuar me short gjyqtares Alma Kodraliu. Sipas hetimeve, aktiviteti i grupit është shtrirë në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë.