...
Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër goditje në kuadër të operacionit policor të koduar “Stolen line”, i cili është i përqendruar te luftimi i trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Gjatë këtij operacioni në Tiranë janë sekuestruar tri automjete të markës “Mercedes-Benz” me vlerë totale rreth 450 mijë euro, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona dhe tre të tjerë po procedohen penalisht.
Sipas njoftimit zyrtar, makinat e sekuestruara janë të dyshuara se janë vjedhur në Gjermani dhe më pas janë trafikuar në Shqipëri. Konkretisht bëhet fjalë për:
1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200,000 euro;
1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150,000 euro;
1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100,000 euro.
Në lidhje me këtë veprimtari kriminale, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar si trafikues të automjeteve me qëllim shitjen e tyre: F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë tre drejtuesit e mjeteve që u konstatuan gjatë momentit të sekuestrimit, konkretisht shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç.
Policia po vijon punën intensive për kapjen e dy të rinjve të shpallur në kërkim, si dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.
Sekuestrohen 3 automjete luksoze, me vlerë totale rreth 450 000 euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani.
Procedohen penalisht 3 shtetas, të cilët i drejtonin automjetet në momentin e konstatimit.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar se kanë trafikuar automjetet në Shqipëri.
Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestruan 3 automjete luksoze, konkretisht 1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 000 euro, 1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 000 euro, dhe 1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 000 euro.
Në lidhje me këtë rast u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç, të dyshuar se kanë trafikuar në Shqipëri automjetet, me qëllim shitjen e tyre.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç, të cilët u konstatuan duke drejtuar automjetet në momentin e sekuestrimit të tyre.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.