... Nami.al

Turisti që u vra në Ksamil ishte portugez, policia: Po hetojmë dhe rolin e dy turqve

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, policia e Vlorës njoftoi para pak se të dhënat e mëparshme i kishte të pasakta duke theksuar se viktima ishte shtetas portugez dhe jo francez.

Viktima është Luis Miguel Varela Mendes, 21 vjeç nga Portugalia, konfirmoi noa.al.

“Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005”.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.