...
Zjarri në malin e Krujës
Një 74-vjeçar i arrestuar pak ditë më parë, si i dyshuar për zjarrin që përfshiu malin e Krujës dhe vuri në rrezik disa lagje të qytetit, është liruar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.
Organi i akuzës e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e 74-vjeçarit, duke argumentuar se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka prova që e implikojnë atë në zjarrvënie.
Sipas Prokurorisë, ndalimi i 74-vjeçarit është kryer gjithashtu pa u vënë në dijeni organi procedues.
Nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se, kur efektivët e policisë kanë mbërritur në zonë, e kanë gjetur 74-vjeçarin duke tentuar të shuante flakët.
Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, i moshuari ka mohuar të ketë qenë ai personi që ka shkaktuar zjarrin.
Prokuroria thekson se të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë janë të paqarta dhe kontradiktore. Në materialin e organit të akuzës thuhet gjithashtu se 74-vjeçari ka bashkëpunuar me autoritetet gjatë procesit të hetimit.
Megjithatë, pavarësisht lirimit të tij, hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorit të zjarrit në malin e Krujës vijojnë.