... Nami.al

Deklaratat e Vuçiçit për Ibrin, reagon edhe Berisha: Padroni i Ramës kërcënon Kosovën, PD e dënon me forcë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në Facebook ndaj deklaratave të fundit që vijnë nga Serbia për një plan për të devijuar lumin Ibër, duke penguar kalimin e tij në Kosovë.

“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky kërcënim i hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik dëshmon dhe një herë se Presidenti i Serbomadhisë Vuçiç me imagjinatën e tij të sëmurë është i aftë që në një urrejtje të pakufishme ndaj shqiptarëve të planifikojë përdorimin edhe të etjes si armë genocidale ndaj etnisë së tyre dhe vendit fqinj. Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Berisha.

Në ditët e fundit, lidhur me këtë temë ka pasur edhe debat në distancë mes autoriteteve shqiptare dhe serbe. Vuçiç deklaroi se Kosova nuk është territor i Shqipërisë dhe ajo nuk duhet të përzihet në këtë çështje, ndërsa Kryeministri Rama iu përgjigj duke i thënë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë.