...
Partia Demokratike ka nxjerrë një udhëzim për strukturat e saj lokale, me synim mbështetjen e qytetarëve që kundërshtojnë propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale.
Udhëzimi është firmosur nga sekretari Organizativ i PD-së, Klevis Balliu dhe sekretari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani.
Në dokument theksohet se objektivi është mbështetja e qëndresës qytetare për të penguar miratimin e projektit qeveritar për zvogëlimin e numrit të bashkive.
Sipas udhëzimit, Partia Demokratike vijon të mbështesë propozimin e saj për një ndarje të re administrative me 100 bashki, duke e konsideruar atë si alternativën e duhur.
Gjithashtu, PD kërkon që të gjitha degët e saj të mblidhen urgjentisht brenda kësaj jave, së bashku me këshilltarët bashkiakë, për të bashkërenduar qëndrimet me qytetarët protestues dhe për të mbështetur protestat kundër reformës territoriale të propozuar nga mazhoranca.