... Nami.al

Tensione SHBA – Brazil: Amerikanët i heqin vizën ambasadores braziliane, përshkallëzohet kriza diplomatike

Shtetet e Bashkuara i kanë revokuar vizën ambasadores së Brazilit në Washington, Maria Luiza Ribeiro Viotti, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të tensioneve diplomatike mes dy vendeve, në prag të zgjedhjeve në Brazil.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, masa u mor pasi autoritetet braziliane refuzuan t’u jepnin vizë dy zyrtarëve amerikanë që planifikonin të vizitonin Brazilin muajin e kaluar. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e cilësoi vendimin si një “veprim reciprok”, duke sqaruar se ambasadorja nuk është dëbuar nga SHBA, por se opsione të tjera diplomatike mbeten në tryezë.

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva akuzoi zyrtarët amerikanë se synonin të ndërhynin në procesin zgjedhor të vendit, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si të pabaza.

Mosmarrëveshja lidhet me vizitën e planifikuar të dy zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, të cilët kishin deklaruar se do të diskutonin çështje që lidhen me lirinë e shprehjes, lirinë fetare dhe integritetin e zgjedhjeve. Ata pritej gjithashtu të takonin kandidatin e djathtë Flávio Bolsonaro, djalin e ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Qeveria braziliane argumentoi se vizita përbënte një përpjekje të papranueshme për të ndërhyrë në procesin e brendshëm politik dhe, për këtë arsye, refuzoi hyrjen e delegacionit amerikan.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë shtuar edhe për çështje të tjera, përfshirë rikthimin e tarifave amerikane ndaj Brazilit, shpalljen e disa grupeve kriminale braziliane si organizata terroriste, si edhe vonesën e miratimit nga Brazili të kandidaturës së Daniel Perez si ambasador i ri i SHBA-ve në Brazil.

Autoritetet braziliane kanë deklaruar se po veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se kërkesa për akreditimin e ambasadorit të ri amerikan mbetet ende në shqyrtim.