... Nami.al

“Ferri” zbret në Greqi, flakët pushtojnë zonat turistike, evakuohen mijëra turistë dhe banorë

Një situatë dramatike po përjetohet në Greqi, ku zjarret e mëdha pyjore kanë detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë dhe zonat turistike. Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke vënë në vështirësi ekipet e emergjencës.

Qindra persona, kryesisht turistë, janë evakuuar me anije nga qyteti bregdetar Agios Vasileios, në rajonin e Viotisë, pasi një zjarr i fuqishëm u afrua me shpejtësi drejt zonave të banuara.

Sipas autoriteteve greke, mbi 200 persona janë larguar tashmë në mënyrë të sigurt, ndërsa rreth 100 të tjerë pritet të evakuohen përmes detit.

Zjarri shpërtheu të premten në mëngjes dhe bllokoi rreth 500 persona, shumica prej tyre turistë.

Ndërkohë, në ishullin e Kretës, një zjarr i madh pyjor ka djegur mijëra hektarë tokë dhe ka detyruar rreth 8 mijë persona të largohen përkohësisht nga banesat dhe zonat turistike.

Vatra zjarri janë raportuar edhe në ishujt Paros, Andros dhe Kalymnos, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike mbeten të rrezikshme për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme.

Greqia është një prej vendeve evropiane që po përballet me një valë të gjerë zjarresh pyjore, pas periudhave të gjata me temperatura të larta. Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të këtyre fenomeneve.

Situata mbetet problematike edhe në Portugali dhe Spanjë. Në Portugali, qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët pranë Valpaços, ku janë shkatërruar rreth 15 mijë hektarë tokë, ndërsa në Spanjë autoritetet vijojnë të monitorojnë rrezikun e zjarreve të reja për shkak të valës së të nxehtit.