... Nami.al

Arrestohet në Tiranë 48-vjeçari i kërkuar nga Italia, i dënuar me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni

Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërimit.

Policia e Shtetit bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet italiane u arrestua Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë. Ai u lokalizua dhe u vu në pranga në zonën e Institutit Bujqësor.

Sipas autoriteteve, Nikolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Napolit, në nëntor të vitit 2021, e kishte dënuar me 13 vite burgim për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Skllavërimit/Nënshtrimit”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.

Nga hetimet e autoriteteve italiane rezulton se ai, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Sipas dosjes hetimore, ai ushtronte gjithashtu dhunë ndaj viktimave për t’i mbajtur nën kontroll dhe për të përfituar nga shfrytëzimi i tyre.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, po vijon procedurat për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane.