...
Turqia mund të marrë gjashtë avionë luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara, nëse presidenti amerikan Donald Trump vendos të heqë kufizimet që i kanë penguar Ankarasë blerjen e këtyre avionëve.
Marrëveshja fillestare do të ishte më e vogël se kërkesa e mëparshme e Turqisë për rreth 40 avionë F-35, por do të përbënte një fitore të rëndësishme diplomatike dhe ushtarake për presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, duke rritur rolin e Ankarasë në fushën e mbrojtjes brenda NATO-s.
Turqia ka paguar tashmë 1.4 miliardë dollarë për gjashtë avionë F-35, të cilët aktualisht ndodhen në ruajtje në Shtetet e Bashkuara.
Në rast se hiqen sanksionet ndaj industrisë turke të mbrojtjes, avionët mund të dorëzohen në një kohë relativisht të shkurtër, sipas zyrtarëve të cituar nga Bloomberg.
Çështja e avionëve F-35 është rikthyer në tryezë pas vizitës së Trump në Ankara për samitin e NATO-s dhe takimit dypalësh me Erdogan.
Presidenti amerikan ka sinjalizuar se është i gatshëm të shqyrtojë heqjen e kufizimeve të vendosura ndaj Turqisë pas një përplasjeje disa-vjeçare mes dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Turqinë nga programi F-35 pasi Ankaraja bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Washingtoni dhe aleatë të tjerë të NATO-s shprehën shqetësimin se përdorimi i këtij sistemi pranë avionëve F-35 mund të ekspozonte të dhëna të rëndësishme teknologjike ndaj Rusisë.
SHBA-ja i ka kërkuar Turqisë që të heqë dorë nga sistemi S-400 si kusht për rikthimin në programin F-35. Sipas zyrtarëve turq, Ankaraja po shqyrton mundësinë e një kompromisi, ku SHBA-ja do të ketë mbikëqyrje teknike mbi sistemin rus, ndërsa ai do të ruhet për raste të jashtëzakonshme të sigurisë.
Megjithatë, procesi për përfundimin e marrëveshjes përballet ende me pengesa. Kongresi amerikan ka mundësinë të bllokojë transferimin e avionëve, ndërsa aleatë të SHBA-ve në rajon, si Izraeli dhe Greqia, kanë shprehur shqetësime për zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Turqisë.
Disa senatorë amerikanë kanë shfaqur mbështetje për një zgjidhje që do të lejonte rikthimin e Turqisë në programin F-35, duke vlerësuar rolin e saj si një anëtare e rëndësishme e NATO-s.
Avionët F-35, të prodhuar nga kompania amerikane Lockheed Martin, konsiderohen ndër avionët luftarakë më të avancuar në botë. Aktualisht, në Lindjen e Mesme vetëm Israel i përdor këto mjete.
Turqia po punon gjithashtu për forcimin e mbrojtjes së saj ajrore përmes projektit të quajtur “Kupola e Çeliktë”, ndërsa kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me vendet evropiane për sisteme të reja mbrojtëse.
Ankaraja e ka paraqitur veten si një aleat kyç i NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës dhe përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se roli i saj është thelbësor për sigurinë rajonale.