... Nami.al

Donald Trump qetëson aleatët: SHBA do të mbetet në NATO

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka garantuar liderëve të NATO-s se Washingtoni dëshiron të mbetet pjesë e Aleancës, gjatë takimit me dyer të mbyllura të zhvilluar në Samitin e Ankarasë.

Sipas një burimi të njohur me diskutimet, Trump u tha homologëve të tij: “Ne duam të mbetemi me ju”.

Burimi, i cituar nga Reuters, bëri të ditur gjithashtu se presidenti amerikan deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë shitjen e armëve për vendet aleate, pavarësisht mënyrës se si ato do të përdoren.

Sipas të njëjtit burim, gjatë mbledhjes Trump nuk përsëriti kritikat ndaj Spanjës për nivelin e shpenzimeve ushtarake dhe as nuk foli për Groenlandën, çështje që muajt e fundit ka shkaktuar tensione brenda Aleancës.

Po ashtu, ai nuk përmendi deklaratat e mëhershme për përfundimin e armëpushimit të përkohshëm me Iranin.

Deklaratat e Trump-it vijnë në një kohë kur samiti i NATO-s është përqendruar te rritja e investimeve në mbrojtje dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve aleate.