... Nami.al

Zjarri masiv në Fier, evakuohen 11 familje. Policia jep informacion për situatën

Situata nga zjarri në zonën e Drizës dhe Qafës së Koshovicës në Fier vijon të mbetet kritike, ndërsa forca të shumta të emergjencës dhe Policisë po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas autoriteteve, vatra e zjarrit ka nisur fillimisht pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, dhe më pas është përhapur në drejtim të Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe erërave të forta, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, ndërsa vijon monitorimi i zonave të tjera të rrezikuara për të shmangur pasoja në njerëz.

Në operacionin e gjerë janë angazhuar forcat zjarrfikëse, helikopterë të Forcave të Armatosura, si dhe dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit, përfshirë forcat “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policinë Rrugore dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Për shkak të situatës, është bllokuar qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor “Qafa e Koshovicës–Cakran”, në të dy drejtimet, ndërsa Policia Rrugore po asiston në transportin e mjeteve dhe pajisjeve zjarrfikëse në terren të vështirë.

Autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk janë raportuar raste të asfiksisë apo lëndimeve, ndërsa është bërë e mundur edhe shuarja e një banese të përfshirë nga flakët, me dëme të vogla materiale.

Ndërkohë, dy persona janë shoqëruar nga Policia si të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ndërsa grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës, të mbështetura edhe nga ajri, vijojnë punën për shuarjen përfundimtare të vatrës së zjarrit dhe stabilizimin e situatës në zonë.