...
Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor vijon të rritet, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëron se vendi po përballet me një krizë humanitare në përkeqësim.
Sipas autoriteteve venezueliane, deri më tani janë konfirmuar 1,943 viktima, ndërsa rreth 10,500 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e lëkundjeve me magnitudë 7.2 dhe 7.5.
Kryetari i Parlamentit, Jorge Rodríguez, deklaroi se zona portuale e La Huirës ishte më e goditura nga fatkeqësia, ku në momentin e tërmeteve ndodheshin rreth 30 mijë persona.
Autoritetet bëjnë të ditur se 6,461 persona janë shpëtuar deri tani, ndërsa OKB vlerëson se rreth 50 mijë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë
Më shumë se 72 orë pas tërmeteve, ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura. Një nga rastet që ka rikthyer shpresën ishte shpëtimi i një djali trevjeçar nga rrënojat në Karakas nga një ekip shpëtimtarësh jordanezë.
Sipas analizave të NASA-s, të bazuara në imazhe satelitore, rreth 58,870 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa infrastruktura kritike ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Situata më e rëndë paraqitet në shtetin verior të La Huirës, ku mungesa e ushqimit, ndërprerjet e komunikimeve dhe dëmtimet e shërbimeve bazë kanë vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve.
OKB ngre alarmin për përkeqësimin e situatës
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka paralajmëruar se ndihmat humanitare nuk po arrijnë në të gjitha zonat e prekura, ndërsa tensionet mes banorëve janë në rritje.
“Ndonjëherë njerëzit vriten për një pako ushqimi. Luftojnë mes tyre sikur të ishin në luftë”, tha Daniela Armas, 18 vjeç, e plagosur nga tërmeti.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka bërë thirrje për 50 milionë dollarë financime emergjente, me synimin për të siguruar ushqim për rreth 500 mijë persona gjatë tre muajve të ardhshëm.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive për shkak të dëmtimeve në sistemin shëndetësor, mungesës së ujit të pijshëm dhe zhvendosjes së popullsisë.
Sipas OBSH-së, ekziston rrezik për shpërthimin e fruthit, difterisë dhe kollës së mirë, ndërsa 38 spitale kanë pësuar dëmtime, tre prej tyre në gjendje kritike.
UNHCR ka kërkuar gjithashtu rreth 15 milionë dollarë për të siguruar strehim të përkohshëm për të paktën 30 mijë persona gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Ndihma ndërkombëtare në rritje
Në portin e La Huirës është ngritur një morg i përkohshëm për identifikimin e viktimave, ndërsa spitalet vijojnë të përballen me një fluks të madh të plagosurish.
“Në shtëpinë tonë ishin 11 persona. Vetëm dy prej nesh mbijetuam sepse ndodheshim në punë”, rrëfeu Wilker Molaya, i cili vijon kërkimet për familjarët e tij.
Komuniteti ndërkombëtar ka intensifikuar mbështetjen për Venezuelën. Sipas OKB-së, 27 shtete kanë dërguar mbi 40 ekipe kërkim-shpëtimi, më shumë se 2,000 efektivë dhe mbi 160 qen të trajnuar për kërkimin e personave të bllokuar.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dyfishimin e ndihmës humanitare për Venezuelën, duke e çuar atë në 300 milionë dollarë. Fondet do të shpërndahen përmes agjencive të OKB-së dhe organizatave humanitare që veprojnë në terren.