... Nami.al

Nis protesta e 30-të radhazi në kryeqytet: Nesër protestë edhe në Rrjoll

Ka nisur mbrëmjen e së hënës protesta e 30-të radhazi, ndërsa qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.

Protestës kësaj here pritet t’i bashkohen edhe një grup eurodeputetësh.

Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, ka paralajmëruar se ditën e nesërme protestuesit do të mblidhen në Rrjoll, pasi aty është rivendosur gardhi që u hoq disa ditë më parë nga protestuesit.

“Nesër kemi dy beteja, një në Rrjoll për ata që janë të fortë dhe dinë të përdorin kazmat, levat, çekiçët dhe një do jetë para Parlamentit, apo Hajnamentit”, tha Kola.

Ngjashëm si në tubimet e mëparshme, organizatorët kanë deklaruar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e saj.

Pasi u mblodhën në qendër të Tiranës, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të artikulohen kërkesat e lëvizjes.

Më herët, Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 31 shtetas në lidhje me tubimin e zhvilluar në kryeqytet, duke i dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.