... Nami.al

Trump thërret Bordin e Paqes për Gazën, ja ku pritet të mbahet mbledhja

Bordi i Paqes për Gazën, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin dhe qeverisjen e Rripit të Gazës, do të zhvillojë një takim të rëndësishëm në Qipro më 30 qershor, me qëllim rishikimin dhe përshtatjen e strategjisë së tij pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Sipas POLITICO, takimi do të zgjasë dy deri në tre ditë dhe synon të “rivendosë fokusin” e bordit, pasi lufta mes Izraelit dhe Iranit ka zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare nga Gaza gjatë muajve të fundit.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë përfaqësues të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një organ teknokratësh palestinezë i krijuar për të zëvendësuar Hamasin në administrimin e territorit, si dhe përfaqësues nga zyra e Nikolai Mladenov, ish-diplomatit bullgar të emëruar nga Trump si i dërguari i tij i posaçëm për Gazën.

Qiproja do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhgueses. Sipas zyrtarëve europianë, ishulli mesdhetar është përzgjedhur nga komiteti ekzekutiv si vendi pritës i takimit dhe nuk ka rol organizues apo politik në këtë proces.

Bordi i Paqes mbajti takimin e tij të parë në shkurt të këtij viti.