...
Gjermania ka siguruar kualifikimin në fazën e 32-shes së Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në ndeshjen e dytë të Grupit, të zhvilluar në Toronto.
Në një përballje me ritëm të lartë dhe emocione deri në sekondat e fundit, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann arriti të përmbysë rezultatin falë protagonizmit të Deniz Undav, i cili realizoi të dy golat e suksesit gjerman.
Ndeshja nisi më mirë për përfaqësuesen afrikane, që kaloi në avantazh në minutën e 30-të me golin e Franck Kessié. Gjermanët hasën vështirësi për të gjetur hapësira në pjesën e parë, por reaguan pas pushimit.
Pika e kthesës erdhi në minutën e 60-të, kur në fushë u aktivizua Undav. Sulmuesi gjerman vendosi ekuilibrat vetëm tetë minuta pas hyrjes së tij, ndërsa në minutën e katërt shtesë realizoi edhe golin e përmbysjes, duke vulosur fitoren 2-1 për “Mannschaft”.
Me këtë paraqitje, Undav konfirmohet si një nga protagonistët e turneut, duke regjistruar tre gola dhe dy asistime në dy ndeshjet e para të Botërorit.
Falë suksesit të dytë radhazi, Gjermania ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe siguron matematikisht kualifikimin në fazën e 32-shes. Ndërkohë, Bregu i Fildishtë mbetet në garë për avancimin, me shanse të mira për të siguruar një vend në raundin pasardhës në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Curaçao.