... Nami.al

Tragjedia e rëndë: Kush janë dy vajzat e mitura që u mbytën në Lezhë?

Jonida Dajlani dhe Adelajda Misha, dy vajza të moshave 9 dhe 11 vjeçe nga Fushë-Kruja, janë mbytur këtë të premte në plazhin publik të Tales në Lezhë. Ato janë futur në det për t’u larë dhe kanë dalë prej andej të pajeta.

Është e paqartë se në çfarë rrethanash dy vajzat e mitura janë lënë të pashoqëruara në plazh, derisa janë futur në det dhe janë rrëmbyer nga dallgët.

Fatkeqësisht, Jonida Dajlani dhe Adelajda Misha janë mbytur në thellësi dhe menjëherë në zonë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare nga deti dhe ato të DVP Lezhë nga toka, ndërsa një ndihmë të madhe kanë dhënë dhe pushuesit.

Trupat e dy vogëlusheve të moshave 9 dhe 11 vjeçe, janë konstatuar disa metra larg bregu dhe shërbimet e Policisë së Lezhës në bashkëpunim me pushuesit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen në breg.

Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12:50 në plazhin e Tales dhe grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit.