... Nami.al

Një nga të akuzuarit për vrasjen e Santiago Malkos, Apeli i GJKKO-së liron nga qelia Ilir Selmanin!

Shtatë vjet pas atentatit të bujshëm te “Xhamlliku” në Tiranë, ku u ekzekutua ish-polici Santiago Malko, hetimet dhe procesi ndaj personave të përfshirë si grup krimina po vijon.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar sot masën e sigurisë për të pandehurin Ilir Selmani, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së Malkos, e ndodhur në muajin gusht të vitit 2019.

Apeli i GJKKO-së njofton se ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.

Trupa gjykuese ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Selmanit nga ambientet e paraburgimit dhe shoqërimin e tij drejt banesës private në Tiranë, ku do të vuajë masën e re të sigurisë “arrest në shtëpi”.

“Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pandërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë”, thuhet në disponimin e Gjykatës së Apelit.