... Nami.al

Meksika skuadra e parë që siguron kualifikimin në 1/16-at e Botërorit 2026

Meksika është bërë skuadra e parë që siguron matematikisht kualifikimin në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti 1-0 Korenë e Jugut në ndeshjen e dytë të Grupit A.

Golin vendimtar të takimit e realizoi Luis Romo në minutën e 50-të, duke i dhënë ekipit të drejtuar nga Javier Aguirre fitoren e dytë radhazi në turne dhe kryesimin e grupit me pikë të plota.

Ndeshja e zhvilluar në Guadalajara u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste të shumta shënimi për të dyja skuadrat. Megjithatë, momenti që vendosi fatin e sfidës erdhi në pjesën e dytë, kur Romo përfitoi nga një pasiguri e portierit koreano-jugor Kim Seung Gyu dhe dërgoi topin në rrjetë.

Në anën tjetër, portieri meksikan Rangel u shndërrua në protagonist në minutat e fundit, duke realizuar dy pritje vendimtare që ruajtën avantazhin minimal të skuadrës së tij deri në vërshëllimën finale.

Falë këtij suksesi, Meksika ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe kryeson e vetme Grupin A, duke siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt. Koreja e Jugut, Çekia dhe Afrika e Jugut mbeten në garë për vendet e mbetura kualifikuese.

Në raundin e fundit të fazës së grupeve do të zhvillohen sfidat Çeki – Meksikë dhe Afrikë e Jugut – Kore e Jugut, të cilat do të përcaktojnë renditjen përfundimtare të grupit.