...
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka kritikuar vendet europiane për atë që e cilësoi si një “pushtim” të emigrantëve në brigjet e tyre, gjatë një fjalimi të mbajtur në Francë në përvjetorin e zbarkimit historik të Aleatëve në Normandi, shkruan BBC.
Hegseth foli në Normandi, 82 vjet pas operacionit D-Day, kur forcat aleate zbarkuan në brigjet franceze për të çliruar Europën Veriperëndimore të pushtuar nga Gjermania naziste në vitin 1944.
“Fatkeqësisht, sot plazhe të tjera europiane po sulmohen nga ideologji të tjera të rrezikshme”, deklaroi Hegseth. “Plazhet në Spanjë, Itali, Greqi dhe Bullgari. Varka dhe burra mbërrijnë çdo ditë. Kur do të bëjnë diçka kryeqytetet europiane për këtë pushtim?”, u shpreh ai.
Komentet e Hegseth pasojnë deklarata të ngjashme të zyrtarëve të tjerë amerikanë. Së fundmi, zëvendëspresidenti JD Vance kritikoi politikat e migracionit në Britaninë e Madhe, duke i lidhur ato me raste të rënda kriminale, deklarata që shkaktuan reagime nga qeveria britanike.
Gjatë fjalimit në Francë, Hegseth tha se disa vende europiane janë bërë tepër “komode” me liritë e fituara pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë harruar se “liria ka një kosto”. Sipas tij, brezi aktual i liderëve duhet të mbrojë vlerat për të cilat luftuan ushtarët aleatë në Normandi.
Migracioni drejt Europës mbetet një sfidë e rëndësishme politike. Sipas të dhënave ndërkombëtare, kulmi i mbërritjeve nga deti u regjistrua në vitin 2015, kur mbi një milion persona kaluan Mesdheun për të hyrë në kontinent. Megjithëse numrat kanë rënë ndjeshëm krahasuar me atë periudhë, çështja vazhdon të dominojë debatin politik në shumë vende evropiane, ndërsa partitë që mbështesin politika më të ashpra ndaj emigracionit po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje në sondazhe.