... Nami.al

Rama poston flamingot e Bahamasit: Budallallëku që na ka mbajtur peng 100 vjet nuk do të na ndalë

Kryeministri Edi Rama postoi në llogarinë e tij në Facebook një shembull ku, sipas tij, natyra bashkëjeton me turizmin elitar, njëjtë si objektivi për zhvillimin e Zvërnecit.

“Nassau të Bahamasit, një nga resortet më të famshme dhe më luksoze të Karaibeve, Baha Mar, flamingot nuk konsiderohen problem. Përkundrazi. Janë simboli i destinacionit. Janë pjesë e identitetit të vendit, pjesë e eksperiencës turistike, pjesë e imazhit me të cilin Bahamasi prezantohet paqësor e mikpritës para botës. Qindra mijëra turistë fotografohen me flamingot çdo vit. Resortet organizojnë aktivitete rreth tyre. Fëmijët mësojnë për ta. Vizitorët vijnë nga larg edhe sa për t’i parë.

Askush nuk pyet më nëse flamingot mund të bashkëjetojnë me turizmin. Pyetja është si të zhvillohet më tej turizmi në mënyrë që flamingot të mbeten gjithnjë aty. Sepse në ekonominë moderne natyra nuk është armike e zhvillimit. Është pjesë e zhvillimit. Flamingot nuk janë një  problem për zhvillimin. Janë një privilegj.  Janë një pasuri që shumë vende turistike do jepnin shumëçka që ta kishin, për ta kthyer në burim mirëqenieje”, shkroi Rama.

“Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes flamingove dhe turizmit. Sfida jonë është të ndërtojmë një model ku flamingot, laguna, pylli, plazhi dhe turizmi i cilësisë së lartë të forcojnë njëri-tjetrin. Sepse në fund, askush nuk udhëton mijëra kilometra për të parë atë që gjen më afër. Njerëzit udhëtojnë për të parë atë që është unike. Dhe për Shqipërinë e shumë gjërave unike, një nga gjërat më unike janë pikërisht flamingot e Vlorës dhe bukuria e rrallë e Zvërnecit. Madje ka edhe një detaj domethënës. Në Baha Mar, një nga markat kryesore të projektit është Roseëood Baha Mar, një nga emrat më prestigjiozë të hotelerisë luksoze në botë. E njëjta markë është gjithashtu në dosjen e investitorëve të projektit të Zvërnecit”.

Rama tha se në Zvërnec do të jenë të pranishme edhe disa nga markat më të njohura globale të mikpritjes së nivelit ultra-luks, nga Cheval Blanc te Mandarin Oriental, e deri te Atlantis Resorts.

“Marka që kontribuoi në transformimin e Dubait në destinacionin numër një turistik të Gjirit Arabik dhe që tani ka pranuar të vijë për herë të parë në Europë, në Vlorë, pasi e ka refuzuar gjithnjë ardhjen në kontinentin e vjetër. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet apo do të bëhet Bahamasi. Aspak. Megjithë respektin për atë vend, Shqipëria ka shumë më shumë potenciale.  Kjo do të thotë se Shqipëria ka mundësinë të ëndërrojë fort dhe të ndërtojë një model spektakolar të sajin, ku natyra nuk izolohet nga zhvillimi, por bëhet arsyeja pse zhvillimi ka vlerë. Shkurt fjala, në jo pak nga destinacionet më të suksesshme turistike të botës, flamingot janë pjesë e suksesit të tyre. Prandaj: budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot të vazhdojë rrugën e nisur për ta futur këtë vend në ligën e kampionëve të turizmit botëror”, shkroi kryeministri.

Më herët ai postoi edhe foto nga një tjetër shembull që sipas tij tregon bashkëjetesën mes lagunës me specie të mbrojtura dhe turizmit, zonën e Camargue në Francë.

“Kur flitet për ligatina, laguna dhe zona të mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur mënyra e vetme për t’i mbrojtur është t’i shkëpusësh nga jeta ekonomike. Por Camargue në Francë tregon një histori krejt tjetër. E vendosur në deltën e lumit Rhône, Camargue është një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh i jashtëzakonshëm me laguna, këneta, dunat bregdetare, kripore, flamingo rozë, kuajt e bardhë të famshëm të Camargue dhe qindra lloje shpendësh. Një parajsë e biodiversitetit. Por njëkohësisht edhe një motor ekonomik”, shkroi Rama.

“Sot Camargue është një destinacion ndërkombëtar me hotele butikë, restorante, marina, turizëm natyror, kalërim, vëzhgim shpendësh, prodhim tradicional të kripës dhe një ekonomi lokale që jeton pikërisht falë peizazhit që ka ruajtur. Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj. E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj. Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Madje ndonjëherë ajo është vetë zhvillimi. Prandaj sot flamingot janë ende aty. Lagunat janë ende aty. Biodiversiteti është ende aty. Prandaj pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë. Sepse kur peizazhi bëhet pjesë e modelit ekonomik, njerëzit nuk janë më indiferentë dhe shpesh shkatërrues e ndotës të tij. Kanë interes ta mbrojnë. Dhe ky është mësimi i vërtetë i Camargue: Nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por se gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë”.