... Nami.al

PD vendos t’i bashkohet “jozyrtarisht” protestës së qytetarët, zbulohet mesazhi

Pas disa ditësh hezitimesh dhe sulmesh nga disa eksponentë të saj ndaj protestës së qytetarëve që po zhvillohet prej një jave në Tiranë, Partia Demokratike duket se ka marrë vendimin për t’iu bashkuar jozyrtarisht tubimit të sotëm.

Në grupet e komunikimit të demokratëve po qarkullon një mesazh ku mbështetësit ftohen të mblidhen në orën 18:00 përballë Piramidës, pranë stacionit të autobusit, për t’iu bashkuar protestës.

Në mesazh protesta cilësohet si “mbarëkombëtare”, ndërsa u bëhet thirrje demokratëve të dalin në shesh dhe të bashkojnë zërin e tyre me atë të qytetarëve.

Njoftimi thekson nevojën për unitet dhe vazhdimin e protestave deri në arritjen e qëllimeve të shpallura.

Lëvizja shënon përfshirjen e parë të organizuar të Partisë Demokratike në protestat që nisën si reagim ndaj projektit në Zvërnec dhe që gradualisht kanë marrë edhe karakter politik, me thirrje kundër qeverisë, por edhe opozitës.