...
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sërish sulme ndaj Iran, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Washingtonit dhe Teheranit në një moment delikat diplomatik.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ishte shumë pranë vendimit për një goditje ushtarake, por e kishte shtyrë atë për shkak të sinjaleve për progres në bisedimet diplomatike. Ai pohoi se vendimi ishte praktikisht i marrë dhe se vetëm ndërhyrja e negociatorëve e kishte ndalur përkohësisht.
“Ishe një orë larg nga marrja e vendimit për të vepruar sot”, deklaroi Trump, duke shtuar se situata ndryshoi pasi pala iraniane, sipas tij, kërkoi më shumë kohë për negociata.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Irani po përballet me presion të madh dhe se udhëheqësit e tij “po kërkojnë një marrëveshje”, ndërsa paralajmëroi se afati për një zgjidhje diplomatike është shumë i kufizuar dhe mund të zgjasë vetëm disa ditë.
Sipas tij, nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA do të shqyrtojë sërish opsionin ushtarak, duke përmendur shqetësimet për programin bërthamor iranian.
Paralelisht me deklaratat politike, Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, duke përfshirë individë, kompani dhe anije të lidhura me sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe të transportit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur marrëdhëniet SHBA-Iran mbeten të tensionuara, ndërsa përpjekjet diplomatike për frenimin e programit bërthamor iranian vazhdojnë të jenë të brishta dhe të paqarta.