... Nami.al

Gratë me shami u afrohen fëmijëve?! Gazetari: Janë nga kampi i muxhahedinëve. Pista që po heton policia

Dy video që kanë bërë xhiron në rrjetet sociale kanë nxitur shqetësim në kryeqytet, pasi në to shfaqen dy gra me shami duke kryer lëvizje të pazakonta pranë një furgoni të kuq. Në njërën prej pamjeve, njëra nga gratë mbulon fytyrën në momentin që vëren se po filmohet, duke shtuar dyshimet dhe reagimet e qytetarëve.

Përmbajtja e videove është lidhur në rrjet me pretendime për rrezik ndaj të miturve, çka ka rritur ndjeshëm panikun publik. Megjithatë, sipas gazetarit Merin Maçi, deri më tani nuk ekziston asnjë denoncim zyrtar pranë policisë apo institucioneve të tjera kompetente.

Ai sqaroi se nga verifikimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, anëtarë të kampit të muxhahedinëve në Manzë. Sipas të dhënave, ata ndodheshin në lëvizje për të marrë shërbime mjekësore, ndërsa furgoni i kuq shërben për transportin e anëtarëve drejt qendrave shëndetësore.

Policia ka nisur hetimet me iniciativë, duke shqyrtuar si përmbajtjen e videove, ashtu edhe mundësinë e një dezinformimi të qëllimshëm. Deri në këtë fazë, nga pamjet filmike nuk evidentohet asnjë kontakt apo komunikim i drejtpërdrejtë me të mitur.

“Kemi të bëjmë me dy persona të ndryshëm, ajo se çfarë është mësuar deri tani është se janë dy anëtarë të kampit të muxhahedinëve të cilët janë në Manzë. Edhe pse kjo video ka bërë xhiron në rrjet, kjo video është publikuar ditën e premte, ndërkohë një tjetër është publikuar ditën e sotme. Nuk ka një denoncim real në polici, apo në një autoritet tjetër që të merret me verifikimin e saj, por duke qenë se përmbajtja e denoncimit në rrjetet sociale lidhet me të miturit, policia ka nisur një hetim me iniciativë dhe aktualisht hetimi vijon.

Të paktën nga pamjet filmike, nuk ka një komunikim me të mitur. Të dy anëtarët e kampit të MEK, të paktën nga verifikimet e deritanishme kanë qenë në lëvizje për të marrë shërbime mjekësore. Madje ka disa pika në të cilat ata marrin shërbim mjekësor. Furgoni i kuq, që shihet në videon e parë është një furgon i cili shërben për transportimin e anëtarëve të MEK, drejt qendrave shëndetësore. Policia po bën verifikimet e sakta edhe për identitetin e tyre, por janë verifikuar që janë të kampit MEK, por kemi të bëjmë me një kamp ku ka më shumë se 2 mijë muxhahedinë.

Të paktën deri më tani, ajo që më është konfirmuar nga policia është se po hetohen dy pista: Një lidhur me këtë denoncim që është bërë në rrjetet sociale dhe jo para autoriteteve. Pista e dytë ka të bëjmë me dezinformim për shkak të prejardhjes që ata kanë. Mund të jetë një tentativë për të krijuar pakënaqësi ndaj kampit”, sqaroi gazetari Merin Maçi në “Opinion”.