... Nami.al

“Fake News” – Donald Trump mohon se luftën me Iranin e nisi prej Izraelit

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se vendimi për t’u përfshirë në luftën me Iranin nuk ka ardhur si rezultat i presionit nga Izraeli, por si pasojë e bindjeve të tij të kahershme dhe zhvillimeve pas sulmeve të 7 tetorit.

“Izraeli nuk më shtyu kurrë në luftë me Iranin. Ngjarjet e 7 tetorit, të kombinuara me bindjen time të përhershme se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore, ishin arsyeja”, u shpreh Trump.

Në deklaratën e tij, ai sulmoi ashpër mediat dhe analistët, duke i cilësuar si “fake news” dhe duke pretenduar se shumica e raportimeve janë të pavërteta.

“90% e asaj që thonë janë gënjeshtra dhe histori të sajuara, ndërsa sondazhet janë të manipuluara”, tha ai, duke përsëritur gjithashtu pretendimin e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kanë qenë të manipuluara.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku administrata amerikane po përballet me presion për negociata dhe njëkohësisht po vijon qëndrimin e fortë ndaj programit bërthamor iranian.

Trump sugjeroi gjithashtu mundësinë e ndryshimit të regjimit në Iran, duke lënë të kuptohet se një udhëheqje e re mund të sillte një të ardhme më të mirë për vendin.

“Ashtu si në Venezuelë, rezultatet në Iran do të jenë të jashtëzakonshme. Nëse udhëheqësit e rinj janë të zgjuar, Irani mund të ketë një të ardhme të madhe dhe të begatë”, deklaroi ai.

Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, është nisur drejt Pakistanit për bisedime paqeje me Iranin dhe pritet të mbërrijë në Islamabad “brenda orësh”.