...
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Islamabad të Pakistanit, kanë ngecur sërish në një pikë kyçe, kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Siç ishte parashikuar, ky korridor strategjik detar mbetet nyja kryesore e përplasjes mes palëve, duke reflektuar tensione më të gjera mbi balancat e fuqisë në rajonin e Gjirit.
Delegacioni iranian vijon të kërkojë kontroll më të madh mbi zonën, përfshirë vendosjen e tarifave për kalimin e anijeve. Teherani ka refuzuar gjithashtu idenë e një administrimi të përbashkët të ngushticës, e cila do t’u jepte më shumë hapësirë aleatëve të SHBA-ve në rajon.
Çështja nuk është vetëm teknike apo ekonomike, por edhe simbolike. Një rol më i madh për Iranin në këtë arterie jetike të tregtisë globale do të nënkuptonte për Uashingtonin, pranimin e një ekuilibri të ri fuqie, një skenar që aleatët rajonalë të SHBA-ve e konsiderojnë të papranueshëm.
Kërkesat e Iranit
Në tryezën e negociatave, pala iraniane ka paraqitur një listë të qartë kërkesash.
Ato përfshijnë zhbllokimin e aseteve të ngrira jashtë vendit, ndalimin e sulmeve ndaj aleatëve të saj në rajon, si dhe garanci për moskryerjen e operacioneve të reja ushtarake në territorin iranian.
Po ashtu, Teherani kërkon heqjen e sanksioneve primare dhe sekondare, të cilat kanë rënduar ekonominë e vendit dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Për autoritetet iraniane, fundi i këtyre masave është kusht thelbësor për çdo marrëveshje paqeje, së bashku me garanci sigurie që shmangin rrezikun e një përshkallëzimi të ri.
Qëndrimi amerikan
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në disa kërkesa kyçe.
Ato kërkojnë uljen e nivelit të pasurimit të uraniumit nga Irani, edhe pse kjo çështje duket se ka humbur disi prioritetin fillestar.
Megjithatë, përplasja më e fortë lidhet me të drejtën e Iranit për të vazhduar pasurimin e uraniumit për qëllime civile, një kërkesë që bie ndesh me qëndrimin amerikan dhe me rezolutat e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, të cilat Teherani kërkon t’i anulojë.
Në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, Uashingtoni këmbëngul për një kalim të lirë dhe të sigurt për anijet, pa tarifa shtesë. Administrata amerikane propozon që ngushtica të funksionojë si një korridor i hapur dhe i monitoruar në mënyrë të përbashkët nga palët.