...
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të premteje, më 28 nëntor, një pritje në Presidencë me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Begaj theksoi rëndësinë e një kulture të re politike dhe angazhimin e çdo institucioni dhe qytetari në prioritetet kombëtare që e çojnë vendin përpara.
“Ne kemi nevojë për një kulturë politike të re, të fokusohemi te prioritetet tona kombëtare që e çojnë vendin përpara”, tha ai duke shtuar: “Në këtë rrugëtim europian çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi dhe çdo qytetar ka rol.”
“Pavarësia sot nuk matet vetëm më histori, por edhe me standard, drejtësinë funksionale, dinjitetin që shteti garanton për do qytetarët dhe dashurinë për atdheun. Jemi krenar për partneritetin strategjik me SHBA”, tha Begaj.
Më tej presidenti Begaj u shpreh: “113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë. Na duhet guximi i Vlorës i vitit 1912”.
Pritja vjen në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin dhe përkujton sakrificat e brezave që sollën pavarësinë dhe themeluan shtetin shqiptar.