...
Ka nisur me tensione të forta mes opozitës dhe maxhorancës seanca e parë parlamentare, që pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë hyrë në sallë dhe kanë marrë prej andej karriget e tyre të deputetëve. Më pas ata i kanë hedhur karriget në derën hyrëse të parlamentit dhe u kanë vënë zjarrin.
Deputeti Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj maxhorancës, teksa ka thënë se “karriget e tyre të deputetit i përkasin qytetarëve”.
është dashur ndërhyrja e Gardës për të shuar zjarrin e ndezur të karrigeve që kanë mbetur të shkrumbuara para Parlamentit.
Më pas deputetët opozitarë kanë hyrë sërish në sallë duke replikuar me kryetaren e Kuvendit, por Spiropali ka urdhëruar ndërprerjen për disa minuta të seancës.
Spiropali ka njoftuar përjashtimin e deputetit Flamur Noka, përjashtimi i parë i saj si kryetare Kuvendi, teksa ka mbyllur seancën plenare mes tensionesh.
Pas largimit nga salla, Noka ka paralajmëruar se opozita tashmë do të ndjekë të njëjtën rrugë në çdo seancë parlamentare. Ai tha se e vetmja zgjidhje është “qeveria teknike”.