...
Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 29 qershor 2023, në lagjen “10 Korriku”, ku shtetas të paidentifikuar vendosën lëndë eksplozive në garazhin e automjeteve të një qytetari.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e dy të dyshuarve si autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, dhe i ka shpallur ata në kërkim. Mësohet se shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Njoftimi i policisë
Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.