...
Kur vjen puna te tekat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionerit Ilirjan Celibashi për financimin e elektronikës në zgjedhje, qeveria është treguar dorëlëshuar.
Mjafton të përmendet fakti se këto janë zgjedhjet më të shtrenjta në historinë e pluralizimit shqiptar me gati 35 milionë euro kosto për taksapaguesit qytetarët.
I gjithë qëllimi i teknologjisë i prezantuar që në zgjedhjet e 2021 është heqja e çdo alibie për partitë politike për manipulim rezultati, për votim të personave që nuk jetojnë në Shqipëri, apo deri për votim të personave që nuk jetojnë më.
Por çfarë ndodhi këtë të diel?
Në vend të parandalimit të manipulimit, teknologjia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shndërrua vetë në penguesin më të madh të vullnetit të qytetarëve. Për tre orë, në të paktën 10 për qind të qendrave të votimit askush nuk votoi.
Shifra u konfirmua nga vetë komisioneri Ilirjan Celibashi, pasi kishte nxjerrë urdhrin për identifikim manual në këto qëndra. Celibashi tha se identifikimi elektronik nisi në 77 për qind të qendrave të votimit në orën 7, duke nënkuptuar se kjo shifër ishte një sukses.
Por, a mund të flitet për sukses kur shpenzon 35 milionë euro, kur në 23 për qind të qendrave të identifikimit nisi vonë dhe nga këto në 10 për qind nuk nisi fare? A mund të quhet sukses kur vetëm një votë elektronike ka kushtuar 100 euro dhe identifikimi elektronik gati 20 euro për votë, e gjithë shuma e shpenzuar për këto zgjedhje pjesëtohet me numrin e votuesve prej 1,65 milionë.
Celibashi u përpoq të gjejë vetë një alibi për këtë dështim, duke e transferuar dështimin te operatorët e pajisjeve të identifikimit. A qëndron alibia?
Fakti që për sigurimin e burimeve njerëzore dhe trajnimin e tyre KQZ merr miliona lek nga Qeveria e rrëzon. Po ashtu, dështimi i teknologjisë është përgjegjësi e drejtpërdrejt edhe e Ilirjan Celibashit, që duhej të siguronte përmes testimeve funksionimin e tyre.
Përveç dëmit financiar, keqmenaxhimi i procesit nga ana e Celibashit ka edhe një kosto edhe më të rëndë ndaj pluralizmit, duke u privuar për orë me radhë të drejtën e votës mijëra qytetarëve.
Për të gjitha këto, organet ligjzbatuese do të duhet të hetojnë. Të hetojnë se ku përfunduan miliona eurot për identifikimin elektronik?
Çfarë u bë me milionat e tjerë për trajnimin e punonjësve?
Pasi t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të nxjerrë edhe përgjegjësit e keqmenaxhimit dhe dështimit të procesit.
©Copyright Vox News