...
Policia ka arrestuar 25-vjeçarin Aderjan Bojkoj, i dyshuar si autor i zjarrit që nisi në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në fshatin Tërbaç.
Flakët u përhapën më pas edhe në territorin e fshatit Vranisht, duke djegur një sipërfaqe të madhe toke të mbjellë, si dhe bimësi të egër dhe pyjore.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, menjëherë pas njoftimit se më datë 26.08.2026, në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në fshatin Tërbaç, kishte rënë zjarr dhe po digjeshin sipërfaqe toke, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Krahas mbështetjes së forcave zjarrfikëse për përballimin e situatës dhe vënien nën kontroll të flakëve, strukturat policore kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe identifikimin e autorit të dyshuar.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka përfshirë edhe territorin e fshatit Vranisht, duke djegur një sipërfaqe të madhe toke të mbjellë, si dhe bimësi të egër dhe pyjore. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, grumbullimin dhe administrimin e provave materiale dhe informacioneve të nevojshme, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasi A. B., 25 vjeç, banues në fshatin Tërbaç. Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i tij”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për veprime të mëtejshme.