... Nami.al

I cilësuar si një nga personat më të rrezikshëm në Korçë, kush është 45-vjeçari i dënuar për vrasje që i shpëtoi sot Forcave Speciale?

Mihallaq Përgjika, emër i njohur për autoritetet për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dyshohet se ka qëndruar për një periudhë jashtë Shqipërisë.

Burimet bëjnë me dije se gjatë viteve 2020-2021 ai mendohej se ndodhej në Belgjikë, ndërsa më pas dyshohet se është rikthyer në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe është vendosur në Korçë, ku besohet se ka tentuar të qëndrojë i fshehur.

Në kuadër të këtij informacioni, policia ka intensifikuar kontrollet në qytet gjatë ditëve të fundit, duke verifikuar ambiente dhe adresa ku mund të fshihej personi i kërkuar.

Sipas burimeve, ka qenë drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, ai që ka kërkuar mbështetjen e forcave RENEA për ndërhyrjen, duke vlerësuar se operacioni kërkonte angazhimin e strukturave të specializuara.

Ndërhyrja e forcave speciale në një pallat në Korçë ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, ndërsa prania e efektivëve të armatosur dhe kontrollet e kryera janë zhvilluar në orët e para të ditës.

Operacioni, megjithatë nuk ka prodhuar rezultatin e pritshëm, pasi personi që dyshohet se ishte objektivi kryesor i aksionit nuk është gjetur.

Autoritetet vijojnë kërkimet për lokalizimin e 45-vjeçarit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse ai ndodhet ende në Korçë apo ka mundur të largohet nga qyteti përpara ndërhyrjes së forcave speciale.