... Nami.al

Kryeministria për “shkarkimin” e Ristanit: Veliaj është kryetar i Tiranës, nuk ka hapësirë për interpretime

Kryeministria ka reaguar sa i përket vendimit të Erion Veliaj për të shkarkuar Anuela Ristanin nga detyra e kryebashkikes në detyrë.

Zëdhënësja e Kryeministrisë, Manjola Hasa, ka reaguar për Top Channel, duke shkruar se Erion Veliaj vazhdon të jetë kryebashkiak i Tiranës me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në reagim shkruhet gjithashtu se sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë –  një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.

Reagimi:

Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.

Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.

Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë –  një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.