...
Bekim Bulica është shpallur në kërkim nga policia pas vrasjes së turistit Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Bulica rezulton pronar i lokalit “Principotes” ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa autoritetet po hetojnë personat e lidhur me konfliktin dhe rrethanat që pasuan krimin.
Për ekzekutimin e turistit portugez është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata, i cili u kap disa orë pas ngjarjes në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Bulica rezulton pronari në hije i hotelit të njohur në Ksamil, ndërsa në dokumente, pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe.
Policia ka shoqëruar edhe 42 persona, mes tyre janë personel dhe klientë të kompleksit luksoz.
Në kuadër të hetimit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar edhe Moisid Matushajn, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Matushaj punonte gjithashtu si roje sigurie në të njëjtin grup me Vatën. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që i parapriu vrasjes dhe se ka ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja.
Emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe më herët në materiale hetimore lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Autoritetet franceze kishin përcjellë më parë drejt institucioneve shqiptare të dhëna për një rrjet shpërndarjeje kokaine në Paris, me të cilin lidhej emri i Bulicës.