... Nami.al

“Viza është privilegj, jo e drejtë” – SHBA revokon vizat kur ka rrezik për sigurinë publike, nuk ka një numër të saktë për shqiptarët

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon se administrata e presidentit Donald Trump po përdor autoritetin ligjor për revokimin e vizave në rastet kur evidentohen shqetësime të mundshme për sigurinë kombëtare, sigurinë publike apo rrethana të tjera ku një masë e tillë konsiderohet e justifikuar.

Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, një zëdhënës i DASH sqaroi se vizat mund të revokohen në çdo kohë kur ka tregues për papërshtatshmërinë e mundshme të mbajtësit të vizës apo përbën një kërcënim të mundshëm për sigurinë publike.

“Administrata Trump po mbron kombin tonë dhe qytetarët e tij duke zbatuar standardet më të larta të sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike përmes procesit të vizave”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas DASH, revokimi mund të bëhet edhe në rrethana të tjera, kur autoritetet amerikane e konsiderojnë të nevojshme një masë të tillë. Ndër arsyet e përmendura për anulimin e vizave janë aktivitetet kriminale, shkelja e kushteve të vizës, mashtrimi dhe shqetësimet që lidhen me sigurinë kombëtare.

Një javë më parë u raportua se Departamenti Amerikan i Shtetit kishte revokuar më shumë se 175 mijë viza për shtetas të huaj që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në përgjigjen për Euronews Albania, DASH iu referua edhe qëndrimit të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, sipas të cilit “një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se Sekretari Rubio ka autoritet të gjerë diskrecional për revokimin e vizave dhe se administrata Trump është e angazhuar ta ushtrojë këtë autoritet “kurdo dhe kudo” që ekziston një interes bindës i politikës së Shteteve të Bashkuara.

Sa shqiptarë kanë humbur vizat?

Euronews Albania e pyeti Departamentin Amerikan të Shtetit se sa prej më shumë se 175 mijë vizave të revokuara u përkasin shtetasve shqiptarë.

DASH nuk dha një shifër për shtetasit shqiptarë.

Departamenti sqaroi se, si rregull i përgjithshëm, nuk komenton veprimet e tij në raste specifike për shkak të konfidencialitetit të të dhënave të vizave.

Pra, SHBA konfirmon se revokimi i vizave po përdoret si pjesë e politikës së administratës Trump për sigurinë kombëtare dhe publike, por nuk ka bërë publike një ndarje të të dhënave sipas shtetësisë, përfshirë numrin e shqiptarëve të prekur.