...
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si çdo fundjavë, ka zhvilluar një komunikim virtual me qytetarët, ku foli për situatën politike në vend dhe protestat kundër qeverisë.
Berisha tha se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë dhe akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, keqmenaxhim dhe përqendrim të pushtetit.
Sipas tij, një qeveri që nuk lufton korrupsionin, por e mbron atë, humbet legjitimitetin para qytetarëve.
Berisha u ndal edhe te protestat që, sipas tij, kanë vijuar prej 70 ditësh në Tiranë. Ai tha se qytetarët kanë protestuar kundër korrupsionit, politikave të qeverisë, problemeve të mjedisit dhe shpopullimit të vendit.
Berisha deklaroi se po të mos ishte protestë qytetare, do të ishte i pranishëm çdo natë në tubim.
“Pas viteve ‘90 kjo është protesta më e fuqishme rinore qytetare në historinë e këtij vendi. A mund të ishte më e madhe prania e Partisë Demokratike? Mund të ishte dhe më e madhe. E them këtu. Megjithëse kanë marrë dhe sot shumë pjesëmarrës janë demokratë. U desh pak kohë që të adaptoheshin me situatën për arsye se protesta krahas kërkesave të drejta kishte dhe slogane me të cilat ata barazonin Edi Ramën me Sali Berishën. Këto sllogane janë të armiqve të Partisë Demokratike. Pra janë sllogane të opozitës së opozitës që është vegël e qeverisë. Po të mos ishte një protestë qytetare, Sali Berisha çdo natë do të ishte aty, por një lider partiak nuk i shërben asaj dhe nuk ka nevojë që të jetë aty t’i cenojë sadopak frymën rinore qytetare të saj”.
Një pjesë të fjalës së tij Berisha ia kushtoi edhe Reformës Territoriale. Ai e akuzoi qeverinë se përmes ndryshimeve territoriale ka centralizuar pushtetin dhe ka dobësuar qeverisjen vendore. Kryedemokrati theksoi se mbyllja ose bashkimi i njësive vendore ka sjellë mungesë shërbimesh dhe ka ndikuar në largimin e banorëve nga zonat e tyre.
“Reforma territoriale e Edi Ramës së bashku me politikat e ndjekura nga 2014 e gjer sot, kanë tejkaluar në fuqinë e përzënies së shqiptarëve nga shtëpitë dhe fshatrat, qytetet e tyre, mbi dy herë platformën e Vaso Çubrilloviçit, e cila për hir të së vërtetës, përveç zbatimit të largimit të shërbimeve, rrënimit të arsimit, shëndetësisë, injorimit të infrastrukturës, intimidimit me polici, pati dhe një marrëveshje ndërkombëtare me Turqinë për tërheqjen e shqiptarëve nga Kosova në Turqi”, shtoi ai.
Inkurajoi qytetarët që kanë marrë pjesë në protesta dhe tha se kundërshtimi ndaj qeverisë duhet të vijojë përmes protestave paqësore.