... Nami.al

“Kushner përfitoi Sazanin pas fitores së vjehrrit të tij Donald Trump” – Shqipëria bëhet pjesë e betejës politike në SHBA

Shqipëria po zë një vend gjithnjë e më të dukshëm në debatin politik në Shtetet e Bashkuara, teksa projekti turistik i Jared Kushner në ishullin e Sazanit është shndërruar në një argument të përdorur nga figura të rëndësishme të Partisë Demokratike kundër presidentit Donald Trump dhe familjes së tij.

Pas senatorit Bernie Sanders, edhe senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, iu referua publikisht investimit të Kushner në Shqipëri gjatë një takimi zgjedhor, duke e paraqitur atë si shembull të ndërthurjes së interesave private me pushtetin politik.

“Disa javë pasi Trump fitoi një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Shqipërisë i dha kompanisë së Jared Kushner statusin e investitorit strategjik”, tha Ossoff para mbështetësve të tij.

Sipas senatorit amerikan, ky status përshpejton procedurat për lejet dhe miratimet, duke i krijuar Kushner-it avantazhe që, sipas tij, nuk do t’i kishte nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Ossoff e përshkroi ishullin e Sazanit si “një nga vijat e fundit bregdetare të paprekura të Mesdheut”, ndërsa tha se ndryshimet ligjore në Shqipëri i hapën rrugë zhvillimit të resortit luksoz.

Në fjalën e tij ai iu referua edhe protestave që prej javësh zhvillohen në Tiranë, të cilat i quajti “Revolucioni i Flamingove”, duke pretenduar se dhjetëra mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar marrëveshjen.

“Njerëzit e zakonshëm në Shqipëri nuk janë dakord me këtë marrëveshje”, u shpreh Ossoff, duke shtuar se prokuroria shqiptare kundër korrupsionit (referuar SPAK-ut) ka ndërmarrë veprime hetimore që lidhen me investitorë të përfshirë në projekt.

Deklaratat e tij vijnë vetëm pak javë pasi edhe senatori Bernie Sanders e kishte përdorur rastin shqiptar në një postim në rrjetin X.

“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz, shkatërrues mjedisor, të planifikuar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kështu duket oligarkia globale dhe njerëzit po thonë JO”, shkroi Sanders më 9 qershor.

Deklarata e Sanders solli reagimin e kryeministrit Edi Rama.

Rama i kërkoi senatorit amerikan të mos e kthente Shqipërinë në pjesë të debatit të brendshëm politik në SHBA.

“Me gjithë respektin, senator, Shqipëria është një vend, jo një rresht në një debat politik amerikan”, shkroi Rama, duke kundërshtuar edhe shifrat e protestuesve të përmendura nga Sanders.

Kryeministri theksoi se nuk ekziston ende një projekt përfundimtar apo leje ndërtimi për zhvillimin në Sazan dhe Zvërnec, ndërsa argumentoi se çdo vendimmarrje do të kalojë përmes procedurave ligjore dhe standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian.