... Nami.al

Mrekulli në Venezuelë, 11-vjeçari nxirret gjallë nga rrënojat pas 72 orësh

Një 11-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në Venezuelë, më shumë se 72 orë pas dy tërmeteve shkatërrimtare që goditën vendin, duke sjellë një rreze shprese mes një bilanci tragjik që vazhdon të rëndohet.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, njoftoi se djali u shpëtua në zonën e Caraballeda-s, një nga më të goditurat nga lëkundjet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që tronditën veriun e vendit.

“Pak minuta më parë, një 11-vjeçar u shpëtua i gjallë në Caraballeda. Çdo jetë e shpëtuar është një burim shprese për Venezuelën”, shkroi Rodríguez në rrjetin social X, duke publikuar edhe pamjet e operacionit të shpëtimit.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 430, ndërsa mbi 3 mijë e 200 persona janë plagosur. Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, çka lë të kuptohet se bilanci mund të rëndohet ndjeshëm në ditët në vijim.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në kushte tepër të vështira, ndërsa ekipet ndërkombëtare nga të paktën 17 vende janë angazhuar në zonat më të prekura.

Banorët e qyteteve të goditura kanë denoncuar mungesën e mbështetjes shtetërore gjatë orëve të para pas fatkeqësisë, duke pohuar se pjesa më e madhe e kërkimeve është kryer nga vullnetarë dhe familjarë me mjete të improvizuara.

Ndërkohë, ndihmat humanitare ndërkombëtare kanë nisur të mbërrijnë në Venezuelë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se sfida më e madhe mbetet gjetja e të mbijetuarve përpara se të mbyllet dritarja kritike e shpëtimit pas tërmeteve.