... Nami.al

Edi Rama: E vërteta e ‘mureve antike’ të Bënjës

Lajmet e publikuara ditët e fundit se Banjat Termale të Bënjës janë shkatërruar dhe betonizuar sollën një tjetër përgënjeshtrim të kryeministrit Edi Rama, i cili këtë të dielë publikoi foto nga sistemimi i parë i zonës, i kryer 10 vite më parë.

“Ja si ishin muret antike të Bënjës, Dhjetë vjet më parë, me mundësitë që ishin, u bë edhe sistemimi i parë i Ujërave Termale të Bënjës, kur siç e shihni u rivendos edhe muri i betonit – i mëparshmi ishte katandisur si s’ka më keq – dhe u vesh me gurë.

Pra jo vetëm që nga vaskat e Bënjës nuk janë hequr mure antike, po fiks i njëjti burrë i zanatit që shihni në krye të punës para 10 viteve, i ka qëndruar mbi kokë punës me dashamirësi, së bashku me disa ustallarë të gurit, edhe për projektin e ri që e ka rilindur këtë destinacion turistik me një cilësi krejt të re”, shkruan Rama.

Në postimin e tij, ai flet edhe për pretendimet e shumta që kanë qarkulluar në media, që sipas tij kanë ardhur nga mbetjet e politikës dhe ata që i bashkon instinkti i hakmarrjes ndaj Shqipërisë.

“Këmbëngula disa herë dje e sot tek ky rast konkret, sepse e tregon qartë pse korja e mbetjeve të politikës dhe shoqërisë mbi sipërfaqen e ujit të pastër të protestës, është një masë e mbledhur bashkë nga instinkti i hakmarrjes ndaj Shqipërisë që i ka lënë mbrapa, dështakë që vizion kanë urrejtjen, ide kanë gënjeshtrën dhe projekt kanë vetveten”, shkruan Rama

Postimi vjen në vazhdën e një sërë sqarimesh që kryeministri ka ndërmarrë lidhur me këtë projekt.

Ndërhyrjet në zonën e llixhave janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi limit i projektit ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata iu dha kompanisë “Ergi” SHPK për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH.

Banjat Termale të Bënjës, të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri. Projekti i rikualifikimit parashikon rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi dhe hapësira rekreative për vizitorët.