... Nami.al

Ilir Meta kërkon letërporosi në SHBA për dosjen e lobimit të LSI-së

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë publike kërkesën që i ka paraqitur Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar që për çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA t’i dërgohet letërporosi drejtpërdrejt Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në reagimin e tij, Meta thekson se kërkesa synon sigurimin e të gjithë dokumentacionit, të dhënave bankare dhe materialeve që lidhen me kontratën e lobimit mes LSI-së dhe kompanisë amerikane GSIS, të nënshkruar në vitin 2016, të cilat sipas tij do të shërbenin për të provuar “pafajësinë” e tij.

Ai i kërkon gjykatës që t’i drejtohet autoriteteve amerikane për kontratën origjinale, çdo ndryshim të saj, faturat, pagesat, aktet e përfaqësimit, si dhe çdo dokument financiar që lidhet me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe të dhëna bankare dhe çdo nënkontratë të mundshme.

Në kërkesën e tij, Meta ngre gjithashtu pyetje mbi mënyrën e ekzekutimit të kontratës dhe rolin e palëve të ndryshme në pagesa, duke përfshirë edhe shtetasin Adrian Shatku, për të cilin kërkon dokumentacion shtesë mbi çdo transaksion të pretenduar.

Kreu i PL-së thekson se letërporosia duhet të trajtohet me urgjencë, pasi sipas tij lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale dhe me të drejtën e mbrojtjes në procesin gjyqësor, ku ai ndodhet në paraburgim prej më shumë se 20 muajsh.

Çështja e lobimit të LSI-së në SHBA është një nga dosjet që po shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme, ndërsa Meta vijon të kundërshtojë akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara.