... Nami.al

“Kupola e të nxehtit” përvëlon Europën: 212 viktima në Spanjë! Franca mbyll mijëra shkolla

Vala e pazakontë e të nxehtit që ka përfshirë pjesë të mëdha të Europës po sjell pasoja të rënda, me temperatura rekord, masa emergjente dhe ndikime të drejtpërdrejta te qytetarët.

Në Francë, rreth 3 500 shkolla janë mbyllur për shkak të temperaturave të larta, ndërsa rreth 10 mijë të tjera kanë ndryshuar oraret, duke i zhvilluar aktivitetet kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur temperaturat janë më të përballueshme.

Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, tha për televizionin France 2 se masat janë marrë për të mbrojtur nxënësit dhe stafin arsimor nga i nxehti ekstrem që po prek vendin.

Ndërkohë, në Spanjë vala e të nxehtit është lidhur me 212 viktima në katër ditë. Shifrat janë publikuar nga sistemi spanjoll i monitorimit të vdekshmërisë MoMo mortality monitoring system, i cili analizon rritjen e numrit të vdekjeve krahasuar me mesataret e pritshme bazuar në të dhënat historike.

Sipas vlerësimeve paraprake, temperaturat ekstreme të ditëve të fundit kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të vdekshmërisë në vend, ndërsa autoritetet vijojnë të paralajmërojnë qytetarët, veçanërisht të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, të shmangin ekspozimin në orët më të nxehta të ditës.

Kriza e temperaturave të larta ka prekur edhe Britaninë e Madhe, ku autoritetet kanë vendosur kufizime për përdorimin e ujit në disa zona për shkak të rritjes së konsumit. Në qarkun e Kentit, në jug të Anglisë, është ndaluar përdorimi i zorrëve dhe pompave të ujit për kopshtet për rreth 850 mijë banorë, në përpjekje për të ruajtur rezervat ujore.

Në të njëjtën kohë, në Mbretërinë e Bashkuar janë regjistruar temperatura rekord për muajin qershor, me vlera që kanë kaluar 36 gradë Celsius, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për temperatura të tjera ekstreme.

Ekspertët shpjegojnë se fenomeni po shkaktohet nga një model atmosferik i njohur si “Omega Block”, i cili bllokon masat e ajrit të nxehtë mbi Europë për ditë të tëra. Sipas organizatave ndërkombëtare, ndryshimet klimatike po i bëjnë këto episode gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.

Temperaturat rekord kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme. Kulla Eiffel, Muzeu i Luvrit dhe disa atraksione të tjera turistike kanë reduktuar oraret e vizitave, ndërsa transporti publik në Londër, Holandë dhe vende të tjera është përballur me vonesa dhe kufizime. Qindra shkolla u mbyllën ose kufizuan orarin e mësimit në Britaninë e Madhe.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje, ndërsa Europa vazhdon të përballet me një nga valët më intensive të të nxehtit të viteve të fundit.